Presidenti koreanojugor u shpreh sot i gatshëm për të rifilluar dialogun me shefin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, me kusht që të ndërpriten manovrat ushtarake të Phenianit.

“Kur këto kushte të plotësohen, jam i gatshëm të takoj kryetarin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në çdo vend dhe në çdo kohë”, deklaroi Moon Jae In, gjatë një fjalimi në Berlin, në kuadër të G20-ës në Hamburg.

“Ne kemi nevojë për një dialog të gjatë paqeje, bashkëpunimi dhe çtensionimi. (…) Është e rrezikshme që në situatën aktuale të mos ketë më kontakte të asnjë lloj forme mes dy qeverive”, shtoi kryetari koreanojugor, përcjell Atsh.

Por një rifillim i dialogut mes dy qeverive të dy Koreve kërkon ndërprerjen e të gjitha testeve bërthamore dhe të raketave balistike nga Pheniani.