“Mos sfidoni pushtetin e Pekinit”. Paralajmërimi ndaj Hong Kongut është bërë nga presidenti i Kinës, Xi Jinping. Ai mori pjesë në ceremoninë e betimit të lideres së parë femër të Hong Kongut.

Presidenti kinez, Xi Jinping ka paralajmëruar autoritetet e Hong Kongut që të mos sfidojnë pushtetin e Pekinit.

Këtë deklaratë ai e bëri duke folur në ceremoninë e betimit të lideres së re të territorit gjysmë-autonom, Carrie Lam, që përkon dhe me 20’vjetorin e dorëzimit të Hong Kongut nga menaxhimi Britanik tek ai Kinez.

“Çdo përpjekje për të rrezikuar sovranitetin dhe sigurinë e Kinës, për të sfiduar fuqinë e qeverisë qendrore … ose përdorimi i Hong Kongut për të kryer aktivitete të infiltrimit dhe sabotimit kundër atdheut është një veprim që kalon vijën e kuqe dhe është absolutisht i palejueshëm”, tha kreu i qeverisë së Kinës.

Ndërsa më tej shtoi se Hong Kongu ka shijuar lirinë më shumë se kurrë më parë.

Presidenti Xi Jinping mori pjesë në një sërë eventesh, përfshirë dhe ceremoninë e ngritjes së flamurit. Për këto ngjarje ishin angazhuar shumë policë dhe agjentë specialë.

Pavarësisht kësaj, në Hong Kong u regjistruan përleshje mes manifestuesve pro-demokracisë dhe atyre pro-regjimit të Pekinit.

Përleshja ndodhi shumë afër vendit ku po zhvillohej ceremonia. Policia ndërhyri për të shpërndarë manifestuesit dhe arrestoi disa prej tyre.

Vizita e presidentit Shi ishte e parë që prej kohës kur u emërua lider i Kinës në 2013 dhe vjen 3 vite pas protestave masive pro-demokracisë që u zhvilluan në gjithë territorin e Hong Kongut.

Ai mbikëqyri betimin e zonjës Lam, shefja e re e ekzekutivit të territorit, së bashku me pjesën tjetër të kabinetit të saj.

Lam është udhëheqësja e parë femër e Hong Kongut.