Presidenti i Romës, James Pallotta, ka akuzuar Milanin se sipas tij po bën merkato me para të marra borxh.

Klubi kuqezi ka qenë mjaft aktiv në merkato, duke blerë 11 lojtarë, mes tyre një kampion si Bonucci, por kjo nuk i ka pëlqyer Palotës, shkruan SYRI.

Kreu i klubit roman ka sulmuar Milanin, duke deklaruar: “Nuk ia kam idenë se çfarë po ndodh me Milanin. Pikë së pari, ata nuk kanë para për të blerë skuadrën, meqë kanë marrë borxh 300 milionë euro nga persona që njoh në Londër dhe me një interes shumë të lartë. Ndërsa tani po shpenzojnë në merkato, por do ta paguajnë shumë shtrenjtë.

Po shpenzojnë, ose të paktën po bëjë ndërhyrje paraprake për lojtarë dhe në një pikë të caktuar do t’i vuajnë pasojat e asaj që po bëjnë.

Ata thonë se gjithçka është vetëm me qëllimin për t’u kualifikuar në Champions League, por nuk do të jetë mjaftueshëm. Kur rrogat të jenë të barabarta me fitimet, nuk e di se çfarë dreqin do të ndodhë me ta.

Janë të vetmit në Serinë A që u ka ikur mendja! Ndoshta ata kanë një plan madhor që ndonjë ditë do ta zbulojmë edhe ne, por sa i përket pjesës tjetër të skuadrave, janë të gjitha të përmbajtura”, deklaroi presidenti i Romës për “SiriusXM FC”.