Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën pret në takim konsultativ përfaqësuesit e subjekteve politike për të diskutuar për situatën pas zgjedhore të parakohshme të 11 qershorit.

“Ju njoftojmë se nesër (e hënë), në orën 10:00, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mban takim konsultativ me përfaqësuesit e partive parlamentare për caktimin e datës për mbajtjen e mbledhjes së parë të Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 11 qershor 2017”, thuhet në njoftimin nga presidenca.

Këtë ftesë, përfaqësuesit e subjekteve politike e kanë vlerësuar si të panevojshme.

Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe, kanë bërë të ditur se nuk do të jenë të pranishëm në këtë mbledhje.