Banorët e fshatit Bellanoc të komunës së Likovës, të cilët për dekada të tëra janë në pritje të hapjes së pikës së re kufitare me Kosovën, e shohin me rezervë vendimin e fundit të Qeverisë për vazhdimin e procedurave për hapjen e kalimit të ri kufitar me Stançiqin. Sipas vendimit të Qeverisë deri në fund të këtij muaji duhet të përpunohet projekti arkitektonik-urbanistik për objektin që duhet të ndërtuar në këtë pikë. Ndonëse për 10 ditë përmbyllet muaji korrik, vendi ku duhet shënuar pika kufitare nuk të bën përshtypje se po përgatitet për punime ndërtimore.

Ndryshimi i ngjyrës së asfaltit është e vetmja shenjë që shënon vijën kufitare mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës. Nga të dyja anët rruga është e asfaltuar por akoma nuk shprehet interesim për hapjen e vendkalimit kufitar Bellanoc-Stançiq.

Të zhgënjyer ndër vite nga premtimet e shumta, të cilat nuk kanë pasur rezultat konkret banorët thonë se hapja e kufirit është domosdoshmëri.

Nuk ma merr mendja, Qeveria çdo herë ka premtu por nuk besoj. Të gjithë janë njësoj, gënjejnë, nuk besoj në Qeveri. Kjo është shumë e nevojshme, posaçërisht të Komunës së Likovës që kanë familje andej, kanë tokë por prej Qeverisë nuk ka asgjë. Premtimet janë me vite sikur për fshatin Llojan dhe në fund asgjë hiç. Rruga është asfaltuar por nuk besoj”.

Besoj se do të jetë shumë e dobishme hapja e pikës kufitare dhe shpresojmë se do të hapet shumë shpejt. Janë dhënë premtime por premtime boshe, besojmë që kësaj here do të behet realitet”.

Për kufirin mendoj që shumë shpejt do të hapet sepse është nevoja të hapet kufiri, për këtë edhe është ndërtuar rruga dhe duhet të lëshohet sa më shpejtë. Qeveria e re po mundohet por varet se sa do të qëndrojnë. Njerëzit kanë nevojë, kalojnë këndej por kanë pengesa, nëse i kapin i dënojnë. Ka pas dënime, varet nga patrulla policore. Dënimet janë 400 deri në 600 euro- thonë disa banorë.

Vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiq një kohë të gjatë është në agjendën e premtimeve prioritare të njëpasnjëshme në fushatat zgjedhore të partive shqiptare, por asnjëherë nuk iu pa fundi realizimit të premtimit.  Me hapjen e kësaj pike kufitare për dhjetëra kilometra shkurtohet rruga për banorët e Likovës që dëshirojnë të vizitojnë të afërmit e tyre në Kosovë.