Bashkimi Evropian  në mënyrë shumë serioze po tregon interesim për të integruar vendet e Ballkanit Perendimor në strukturat euroatlantike, vlerësojnë analistët pas  porosive që u dhanë në kuadër të Samitit të Triestes.

Ata thonë se faktori ndërkombëtar edhe një herë e bëri të qartë se pa fqinjësi të mire nuk ka integrime euroatlantike.  Sipas analistit Ismet Ramadani me ndërtimin e institucioneve të shëndosha demokratike, komunikimit  ndërshtetëror të vendeve të Ballkanit, nuk përjashtohet mundesia që këto vende te integrohen në mënyre integrale, ashtu siç jane integruar shtetet e Baltikut apo të Vishegradit.

Edhe analisti Petar Arsovski thotë se për tu anëtarsuar e patjetërsueshme është zgjidhja e problemeve ndërshtetërore.

“Këtë qasje serioze te BE- së, duhet ta kuptojnë shtetet e këtij rajoni të punojnë dhe krejt këtu duhet ta vënë në spikamë Maqedoninë. Maqedonia është pjesë e këtij projekti të madh dhe të rëndësishëm dhe fatmirësisht si pjesë integrale në këtë projekt Maqedonia do të përfiton shumë kuptohet këtu do të fiton edhe Kosova, Shqipëria por edhe shtetet e tjera te rajonit që në një menyrë do të jetë një hap shumë më i sigurtë drejtë integrimeve europiane” – tha analisti, Ismet Ramadani.

“Kjo është shumë e rëndësishme për Maqedoninë e cila deri më tani ishte në një binarë më të ngadalshëm.  Mendoj se BE do të mbetet në qëndrimin se nuk do të anëtarsojnë vende me probleme, por do të presin që vendet që duan anëtarsim ti zgjidhin problemet e tyre” – u shpreh analisti politik, Petar Arsovski.

Analistët vlerësojnë se me ndërimin e qeverisë ka ndërruar edhe qasja e BE ndaj Maqedonisë, e kjo po bëhet e qartë me mbështetjen e ofruar, përmes fondeve të ndryshme.

“Fakti që Maqedonia e morri pjesën më të madhe të fondeve që u ndanë në Samitin e Triestës është gjithashtu shumë një mesazh i rëndësishëm politik, e cila tregon se Bashkimi Evropian vëren se me ndërrimin e qeverisë, është ndëruar edhe atmosfera për integrime të përshpejtuara euroatlantike.” – deklaroi analisti politik, Petar Arsovski.

“Në qoftë se kështu vazhdon besoj se është nisur një punë e mbarë në këtë drejtim. Por do të kërkohet edhe punë konkrete, jorastësisht ata përcjellin këtu ekipet e ekspertëve, domethënë vendin e vetë do ta ketë edhe politika edhe ekspertët, edhe institucionet financiare por do të kërkohet edhe punë dhe reforma nga kjo qeveri” – tha analisti, Ismet Ramadani.

Takimi i nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor në Trieste ishte me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjashtë shteteve ballkanike – BeH, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Samiti i radhës mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Britani.