41-vjeçarja G.R , ishte duke vallëzuar në dasmën e djalit të axhës së saj, në Tërnjë të Suharekës, kur pak pas mesnatës u plagos nga plumbat e një kallashnikovi që u hodhën nga një dasmor.

Ajo mori plagë të rënda në pjesën e pelvikut, konkretisht në zorrë dhe mitër dhe kishte pësuar shok hemorragjik, raporton KTV.

40 minuta pas mesnatës ishte sjellë në QKUK-, ku iu nënshtrua një operacioni të gjatë. Ajo është vendosur për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë Abdominale.

Drejtoresha e repartit, Preveza Abrashi, ka bërë të ditur se pas një operacioni të gjatë gjendja e saj është stabile, por duhet të jetë nën kontroll të vazhdueshëm.

Bashkë me të, nga plumbat që u shkrepën në dasmë, u lënduan edhe e motra e dhëndrit dhe një e mitur.

Por, meqë ato kanë marrë lëndime në këmbë, janë trajtuar në Spitalin Rajonal në Prizren.

Policia e Kosovës ka konfirmuar ngjarjen dhe ka njoftuar se për këtë rast ka arrestuar dy persona dhe ka konfiskuar disa armë në bastisjen që ka bërë në katër shtëpi.

Berisha ka bërë të ditur se gjatë kësaj kohe kanë pasur disa bastisje në lokacione të ndryshme që kanë rezultuar me të arrestuar e konfiskime të armëve, pikërisht për shkak të përdorimit të tyre nëpër ahengje familjare.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren bën thirrje që të mos përdoren armët e zjarrit në asnjë mënyrë, e posaçërisht në dasma dhe ahengje familjare, sepse ekziston rrezik permanent për lëndime trupore dhe humbje të jetës së njerëzve.

Global