Transferimi i Armando Sadikut te skuadra e Legias së Varshavës ishte disi i papritur për opinionin sportiv dhe reagimet pas kësaj lëvizjeje nuk munguan.

Pavarësisht se vetë Sadiku u shfaq mjaft i lumtur për skuadrën e re ku do të luajë, në Poloni duket se nuk po e presin me shumë entuziazëm.

Portali polak “Interia” i ka kushtuar sulmuesit një shkrim të veçantë ku diskuton bindjet e tij politike duke e cilësuar si komunist.

Në artikull përmendet mbështetja e hapur e Sadikut për krahun e majtë të politikës shqiptare, më saktësisht Partinë Socialiste, për të cilën ka dalë dhe publikisht duke bërë fushatë.

Me anë të këtij shkrimi, “Interia” informon fansat e Legias së Varshavës se Partia Socialiste e Shqipërisë është pasuesja e Partisë së Punës së drejtuar nga Enver Hoxha, e cila e mbajti vendin nën një sistem diktatorial komunist për 45 vite.

Në këtë shkrim përmendet se përfshirja e Sadikut në fushatën elektorale e tronditi imazhin e tij në Shqipëri, edhe pse ai është një nga heronjtë e kombëtares në EURO 2016 me golin e realizuar ndaj Rumanisë.

Gjithashtu “Interia” përmend transferimin e dështuar të Sadikut në Greqi te skuadra e Panathinaikosit për shkak të videos me Andi Lilën ku talleshin me besimin fetar të krishterë.

Në lidhje me bindjet politike të Sadikut mediat polake kanë pyetur edhe trajnerin e Legias, Jaxhek Magiera, i cili nuk ka dashur të komentojë gjatë duke thënë se interesohet vetëm për aftësitë futbollistike të sulmuesit shqiptar.