Në vitin 1992, në Athinë me nismë të kryeministrit të asaj kohe, Konstantin Micotakis ishin zhvilluar tri takime për ndarjen e Maqedonisë, njofton agjencia e lajmeve INA.

Në takimin e parë, presidenti i Rumanisë kishte refuzuar propozimin e kryeministrit grek, ndërsa përfaqësuesit e Bullgarisë dhe ish-Jugosllavisë, kjo e fundit që udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviqi, kishin shprehur qëndrime të përmbajtura.

Në këto takime nuk ishte ftuar Shqipëria. Në takimin e dytë, kësaj radhe pa Rumaninë, presidenti bullgar Zhelju Zhelev ishte shprehur i përmbajtur, ndërsa Sllobodan Millosheviq kishte kërkuar se duhet të pritet edhe pak kohë për shkak të angazhimeve të tij në Kroaci dhe Bosnjë – Hercegovinë. Ka pasur edhe takim të tretë, vetëm mes Micotakis dhe Millosheviqit, ku nuk ka pasur marrëveshje ashtu siç thuhet siç kishte dashur Micotakis.

Vetëm pas përfundimit të këtyre tre takimeve, Shkupi zyrtar ishte njoftuar mbi zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre. Plani për agresionin ushtarak grek ndaj Maqedonisë ishte vërtetuar edhe nga zyrtari grek i shërbimit sekret Glikaris.

Plani greko – serb ishte i qartë që të përkufizohej ndarja e Maqedonisë dhe vendosja e kufirit midis Greqisë dhe Serbisë.