Po kërkohet nga autoritetet, madje edhe ushtria në të gjithë vendin, por Oscar Perez nuk përton të shfaqet në një tjetër video dhe të provokojë qeverinë e Venezuelës.

Më 27 qershor, Perez hodhi granata nga helikopteri i tij mbi Ministrinë e Brendshme dhe Gjykatën Supreme në kryeqytetin Karakas, por pa shkaktuar viktima apo të plagosur.

Sulmi, bashkë me sloganet kundër qeverisë së presidentit Nikolas Maduro dhe nxitjes së popullit për protesta, e bënë Perezin njeriun më të kërkuar në vend, por ai është ende i lirë. Madje në mesazhin e tij më të fundit thotë se do ta vazhdojë që të luftojë për çlirimin e vendit të tij.

“Së shpejti ne do t’i bashkohemi protestave popullore dhe nuk do të lejojmë qeverinë që të arrijë qëllimin e saj. 30 milionë venezuelianë mbështesin të vërtetën dhe Maduro duhet te burgosë të gjithë kombin që të heshtë misionin tonë”, tha piloti Oscar Perez.

Perez thotë se i përket një aleance ushtarakësh, policësh dhe civilë që nuk bëjnë pjesë në asnjë parti politike, por që duan çlirimin e vendit nga diktatura e Maduros. Ky i fundit e cilësoi sulmin një akt terrorist, por shumë kritikë të tij kanë hedhur dyshime mbi versionin zyrtar të ngjarjes, madje disa sugjerojnë se është sajuar nga vetë qeveria për të larguar vëmendjen nga krizat ekonomike dhe politike të vendit.