Kryetari i SLS’së, Sllobodan Petroviq, deklaroi se ka mundësi që komunitetit serb në Kosovë t’i takojë më shumë se një post në Qeverinë e Kosovës, e cila është e garantuar me Kushtetutë.

“Kushtetuta për komunitetin serb parashikon një vend në Qeverinë e Kosovës, varësisht nga numri i anëtarëve  të tyre”, deklaroi Sllobodan Petroviq, njoftojnë mediat serbe.

“Ndërsa tani rrethanat janë të tjera, ngase kjo varet nga marrëveshja, jo vetëm me komunitetin serb, nga e cila varet edhe formimi i qeverisë, që mundëson arritjen e më shumë sesa që është paraparë me Kushtetutë”, shtoi më tutje kryetari i SLS’së Petroviq, transmeton televizioni publik.

Lidhur me gjasat e SLS’së që mund të ketë në qeveri me një të deleguar në Parlament, Petroviq deklaroi se asgjë nuk ka të paqartë këtu, sepse “me Kushtetutë dhe ligj është paraparë gjithë çka i takon komunitetit serb e jo partive serbe, të cilat, të përfaqësuara në Parlament duhet të kenë si objekt për marrëveshje”.

Ndërkaq në pyetjen se a e ndien veten përfaqësues vetëm i Kosovës Qendrore, ngase Lista Serbe ka tre përfaqësues nga Shtrpca dhe 6 nga Veriu i Kosovës, Petroviq u përgjigj se “disa analistë mendojnë se SLS nuk është përfaqësuese  vetëm e serbëve të Kosovë  Qendrore, por  në të gjithë Kosovën, ngase ata të tjerët (Lista Serbe), janë përfaqësues të qeverisë serbe.