Protesta e banorëve të zonës së ish-parkut të Autobusëve në Tiranë ka përshkallëzuar në përplasje me policinë.

Disa aktivistë të njohur për kauza sociale në Tiranë ju bashkuan protestës që mbahet kundër ndërtimit të një kompleksi pallatesh në vendin ku ka kënd lojërash, duke bllokuar rrugën që lidhet me “21 Dhjetorin”.

Në tentativë për t’i larguar nga rruga, policia është ndeshur me kundërshtinë e protestuesve, ku nga përplasja e lindur disa prej tyre kanë përfunduar të shoqëruar në komisariat. Mes tyre është ndaluar edhe pedagogu Arlind Qorri, një aktivist i njohur, ndërsa videon e asaj se çfarë ka ndodhur gjatë përplasjes i ka postuar aktivistja Viki Çupi, e njohur për protestat e saj kundër kryeministrit Rama dhe ish-ministres së Arsimit, Nikolla.

Banorët janë kundër vendimit të firmosur nga kryebashkiaku Veliaj dhe janë konfliktuar me ndërtuesit dhe policinë.

Ata shprehen se protestat e tyre do të jenë të përditshme

Gjatë mbrëmjes së djeshme, në një protestë të ngjashme që mbajtën, banorët kanë prishur edhe një pjesë të gardhit rrethues të kantierit të ndërtimit në lulishten e lagjes së tyre.