Pekini zyrtar e ka quajtur prezencën e një anije luftarake amerikane pranë një ishulli të
kontestuar në Detin e Kinës Jugore “një provokim serioz politik dhe ushtarak”.

Luftanija USS Stethem lundroi pranë Ishullit Triton, pjesë e arkipelagut të Ishujve Paracel që pretendohen nga Kina dhe vende të tjera.

Pekini u kundërpërgjigj duke dërguar mjete ushtarake dhe avionë luftarakë pranë kësaj zone.

Ky shkëmbim ndodhi vetëm pak pasi presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij kinez Xi Jinping zhvilluan një bisede telefonike, gjatë së cilës Xi i tha Trump se faktorët negativë po ndikojnë mbi marrëdhënien mes palëve.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë mbi këtë bisedë nuk saktësoi nëse krerët e shteteve kishin diskutuar mbi incidentin, por vetëm përcolli se presidentët kishin rikonfirmuar zotimin e tyre për të denuklearizuar gadishullin korean.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht Kinën kundër pushtimit dhe pretendimeve agresive të ishujve në dete të kontestuara, por Pekini thotë se është brenda të drejtave të tyre sovrane për ta bërë këtë. Për më tepër, pala kineze ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po nxisin qëllimisht probleme në rajon, pasi Kina dhe fqinjët e Azisë Juglindore kanë përmirësuar marrëdhëniet dhe situatën mes tyre./oranews/