Partia Demokratike e Kosovës sot ka nominuar zyrtarisht Kadri Veselin si kandidat për Kryetar të Kuvendit. Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci duke folur për votat e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe të Qeverisë, ka thënë se koalicioni PAN i ka tashmë 61 vota, por është duke shikuar për më shumë.

“I kemi bërë numrat moti. Synimi ynë është që t’i kemi më shumë se 61 vota. Por e rëndësishme është që numrat i kemi dhe kjo do të shihet me 3 gusht”, thotë Stavileci.

Ai nuk ka pranuar të jap emra se kush janë deputetët që do ta votojnë Veselin dhe Hararadinajn në ditën që do të mbahet seanca.

Gjatë ditës së sotme PDK ka mbajtur një mbledhje me këshillin drejtues, për të cilën Stavileci ka thënë se është normale.

“ Këso takime dhe mbledhje thuajse kemi për çdo ditë”.

Kurse, gjatë ditës nënkryetari i PDK’së, Rexhep Hoti, ka thënë për Express se Veseli ka marrë edhe kompetencë të propozojë emrat e ministrave të rinj si dhe të propozojë emrat e kandidatëve për Kryetarë të komunave për zgjedhjet lokale.

“Këshilli Drejtues ka marrë dy vendime madhore. I pari ka të bëjë me nomiminin e z. Veseli për Kryetar të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Vendimi i dytë ka të bëjë me dhënien e kompetencave për Kryetarin e PDK’së që t’i propozojë emrat për ministra të rinj në Qeveri dhe emrat e kandidatëve për Kryetarë komunash”, ka thënë Hoti, për Express, të shtunën.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është caktuar për 3 gusht. Aty, pritet të votohet për Kryetarin e Parlamentit dhe Nënkryetarët.

Të drejtën kushtetuese për pozitën e Shefit të Parlamentit e ka PAN, koalicioni fitues i zgjedhjeve, derisa partitë tjera kanë pozitat e nënkryetareve.