Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka vendosur se kush do të jetë kandidati i kësaj partie për kryetar të Kuvendit.

Nënkryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se shumë shpejt koalicioni PAN, do të nisë diskutimet për formimin e Qeverisë dhe për kandidatin për kryetar të Kuvendit, raporton KTV.

‘Si koalicion, menjëherë do të nisim bisedat me partnerët potencialë për të formuar institucionet sa më shpejt, duke pasur parasysh se ka më shumë punë para nesh. Pjesë e rëndësishme e diskutimeve do të jetë programi qeverisës, që bazohet në platformën e prezantuar gjatë fushatës zgjedhore. Për sa i përket kryetarit të Kuvendit, është e ditur se ky post i takon PDK’së, ndërsa detajet e nominimeve dhe emërimeve për postet e ndryshme institucionale do të vendosen shumë shpejt”, tha Krasniqi për KTV’në.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Pas konstituimit të Kuvendit, Presidenti i Kosovës i jep mandatin partisë apo koalicionit fitues të zgjedhjeve për të formuar Qeverinë.