Nga  Arian Galdini
PD është qartësisht në pakicë. Ndonëse gjendja opozitare e qytetarëve shqiptarë është në shumicë absolute, paradoksalisht Edi Rama ka fituar i vetëm zgjedhjet, ndërsa Partia Demokratike është rivotuar edhe kësaj rradhe për të qenë Opozita. Këto zgjedhje u karakterizuan nga një mospjesëmarrje e lartë e qytetarëve shqiptarë në votime. Tregues ky se pakënaqësia me Qeverisjen e Edi Ramës është e madhe, por se edhe për Partinë Demokratike nuk ka aprovim popullor. Ne si Opozitë dhe PD veçanërisht, dështuam që të fitojmë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve. Nuk ia dolëm dot as të ofronim shpresë, as ekip e as alternativë. U mbyllëm në vetvete dhe qarkulluam ujërat vetëm brenda nesh, duke u hermetizuar ndaj shoqërisë dhe qytetarëve. 25 qershori na e dha përgjigjen, e ne ja ku jemi. Jemi një Opozitë e rraskapitur, e fragmentizuar dhe në proçes degradimi të avancuar. PD sidomos, ka hyrë në një hulli vetëshkatërrimi sepse hermetizimin paraelektoral, po e shndërron në një shurdhëri paselektorale. Ujërat e qarkulluara nga brenda, po përplasen mes tyre e nuk po e kuptojnë me fare as qytetarin e as shoqërinë. Ka një garë që përfundon nesër mes z. Lulzim Basha dhr z. Eduard Selami, sikurse ka edhe një anashgarë që nuk dihet kur e si përfundon, të cilën po e drejton z. Astrit Patozi. Ndërkohë në shkëputje me garën por e paheshtur po qëndron znj. Jozefina Topalli. Ish-Kryetari Sali Berisha nuk po ia del dot të qëndrojë mbi palët dhe ka zgjedhur të lundrojë mes palëve, nën palët, në mbrojtje te investimit të tij të kahershëm, z. Lulzim Basha. Ketu ku është PD sot, duhet një mrekulli nga Zoti, që ta shpëtojë. PD është në pakicë, me rrezikun e tejskajshëm për tu përçarë e mpakur edhe më tej.
T mobile In article [4]
Me PD po ndodh ajo që quhet takimi me makthin që vetë e ka ndërtuar. PD nga Partia e lindur nga revolucioni popullor i dhjetorit ’90, e shndërruar në udhëheqësen e këtij revolucioni dhe e mbrujtur prej idealeve të pastra dhe të dlira, të këtij revolucioni, u kthye në një parti autokratike, jodemokratike, në largim të përditshëm prej idealeve prej të cilave u krijua, e prej qytetarëve e lirisë. Nga një parti transformuese madhore me impakt të fortë historik, PD u kthye dalëngadalë në një Parti konsumuese të historisë së saj, e kësisoj edhe në devijuese e deformuese të idealeve e vlerave të saj. PD u autokratizua dhe me lirinë u bë jomiqësore. Fillimisht vrau konkurueshmërinë, garën dhe meritokracinë brenda saj. Më tutje si Parti qeverisëse, ndikoi në mbërritjen e Shqipërisë në kuota dramatike lirie, shprese dhe meritokracie. PD ka merita të mëdha historike si Parti e transformimeve të mëdha, sikurse ka edhe peshën e saj të madhe të prapakthimit dhe cënimit të shumë fitoreve të lirisë e demokracisë të arritura në vitet e para, pas dhjetorit ’90. Tani PD po përplaset me historinë e saj të transformimeve pozitive dhe me konsumimin e saj të historisë dhe prapakthimeve. Historia e PD, kërkon e ngre pritshmëri për shpresë dhe historibërje të re. Konsumimi i historisë së saj dhe prapakthimet, mund ta çojnë PD drejt zhbërjes fatkeqe. Gara Basha – Selami dhe anashgara e Patozit, jane vetëm shkëndijat e para të një përplasjeje që ende nuk ka nisur. Askush nuk e vë në dyshim se Lulzim Basha do të vazhdojë të jetë Kryetar i PD edhe pas 22 korrikut. Por askush nuk e vë në dyshim gjithashtu, se spiralja në të cilën ka hyrë PD është rënëse, jobashkuese, jovlerore. Dua të uroj e shpresoj, që megjithatë, një mrekulli të ndodhë e pas 22 korrikut, Kryetari i PD të gjejë urtësinë dhe parimësinë për të na bashkuar të gjithëve rreth vlerave e idealeve te dlira të dhjetorit ’90. Nuk e di sesi mund të ndodhë kjo, në këtë derexhe ku jemi katandisur. Ndaj shpresoj dhe uroj në një mrekulli. Mos harroni, se tashmë në Opozitë është edhe LSI, e cila ka strukturë të mirëorganizuar dhe lidership të qartë e të centralizuar. Për PD nuk ka për të qenë e lehtë të konkurojë apo harmonizohet me LSI për betejën Opozitare. PD është në qorrsokak. 22 korriku vetëm do të konfirmojë ecjen verbtazi nëpër të. Le të lutemi për një mrekulli nga lart.
PD më shumë sesa një model Kryetari, i duhet një kohë urtësie për tu përballur e për të kuptuar të vërtetat e saj. Një PD që zgjedh Kryetar, duke u arratisur nga të vërtetat dhe nga liria, me shumë gjasa, thyen dhe prangos e dështon edhe modelin më të mirë. Pa përputhje mes modelit, kohës dhe ambjentit, nuk ka asnjë mundësi që Kryetari i PD, cilidoqoftë ai, të ngrejë ndonjë platformë suksesi e shprese. Edhe Lincolni e Washingtoni, edhe Churchilli dhe De Gasperi, po të vinin në krye të PD, në këtë kohë, në këtë mënyrë, me këtë ambjent e kulturë politike mbizotëruese në PD e në Shqipëri, është e sigurtë se do të thyenin qafën e do të dështonin keqazi. PD është parti hiatoribërëse në thelbin dhe zanafillën e saj. I duhet kohë urtësie dhe ballafaqimi me të vërtetat, për tu rikthyer tek vlerat, dlirësia e idealeve të dhjetorit ’90, e për të rigjetur udhën e historibërjes. PD duhet të shkeputet një orë e më parë nga historikonsumimi. Një PD historibërëse, ka nevojë për një Kryetar që lind nga liria, zgjidhet nga liria, rritet dhe zhvillohet nga liria dhe fiton nga liria. PD ka nevojë për një Kryetar vleror, meritokratik që vjen rritet, zhvillohet dhe fiton me vlera, meritë e konkurueshmëri të ndershme, e të tillë e në këtë standart e me këto kritere i zgjedh edhe bashkëpunëtorët. PD-së i duhet një Kryetar bashkues, pa komplekse, që e demokratizon Partinë dhe bashkon njerëzit më të aftë e më të zotë, e me integritet të lartë moral. Një Kryetar i kompleksuar, inferior, që i do dhe i zgjedh bashkëpunëtorët kaqola, të bindur dhe klientë, do e zvogëlojë deri në shuarje PD-në. Do të doja shumë të shpresoja se pas 22 korrikut, drita e Zotit do të bjerë mbi Kryetarin e PD dhe Sauli do të bëhet Pal. A e do Zoti, PD-në, aq sa e dua unë e shumë ai unë? Këtë nuk e di…‎