Ish-kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi tha për herë të parë se nuk është “anti-Basha” siç është vlerësuar grupi i politikanëve kritikë ndaj liderit demokrat.

Ai tha se në të vërtetë ata janë kundërshtarë të kryeministrit Edi Rama. Në takimin e mbajtur këtë mbrëmje në Akademinë e Arteve, Patozi theksoi se grupimi është kundër vendimit të Bashës për të mbajtur zgjedhje nesër më 22 korrik në garën me Eduard Selamin, ende pa u bërë një analizë për humbjen e thellë që PD-ja pati në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

 “Ne duam të ndreqim PD-në e drobitur që kjo të bëjë ç’të dojë me kryetrarin. Basha do të mbarojë punë me kryetarin që të bëjë më tej ç’të dojë me partinë. Atij i duhet një PD pa ne. Gjatë këtyre ditëve na kanë quajtur dhe kundërshtarë të Lulzim Bashës. Të gjithë ne kemi vetëm një kundërshtarë dhe ai është Edi Rama, i cili na del dhe na tepron”, tha Patozi.

Ish-deputeti i PD-së, i cili u la jashtë garës parlamentare pasi nuk u fut në listat e kandidatëve, i bëri thirrje për herë të fundit Lulzim Bashës që të tërhiqet nga gara – sipas tij farsë – për zgjedhjen e kryetarit.

“Ne rrezikojmë të shndërrohemi në partinë më problematike dhe kjo është e dhimbshme. Lulzim, ke ende disa orë që t’ua kursesh demokratëve një traumë tjetër. I detyrohesh kaq shumë demokratëve. Sipas meje, nuk ka asnjëherë një shans që të rilindësh të drejtosh PD. Përndryshe do të hysh në histori si politikani më famëkeq i pas komunizmit që në shumë pak kohë shkatërroi partinë që rrëzoi komunizmin. Historia nuk do të ta falë kurrë, ndaj po ta them për herë të fundit, mos hyr në atë derë o trim”, tha Astrit Patozi.

Të njëjtën thirrje Patozi e pati edhe për Eduard Selamin.

“Ti Selam coj selam Bashës se jeni çifti më i palumtur dhe i martuar me shkuesi i Partisë Demokratike, për një farsë. Prandaj të them, kthehu andej nga ke ardhur se s’i hyn në punë askujt. Injorojeni farsën e 22-korrikut, ne s’do bëhemi pjesë e kësaj maskarade,” tha Patozi.