Një armëpushim i pjesshëm, i ndërmjetësuar nga SHBA dhe Rusia, hyri sot në fuqi në jugperëndim të Sirisë, thanë sot aktivistë sirianë.

”Qetësia ka mbizotëruar në zonat në kufi me Jordaninë, disa orë para se armëpushimi të hyjë në fuqi”, thanë ata.

Këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Herbert R. McMaster tha se territoret jokonfliktuale në fjalë përbëjnë përparësi për SHBA-në dhe se progresi i arritur me këtë marrëveshje premton shpresë.

McMaster vlerësoi gjithashtu marrëveshjen e SHBA-së dhe Rusisë për armëpushimin në Siri.

“Qeveritë e Rusisë dhe Jordanisë, pas arritjes së kësaj marrëveshjeje kanë biseduar me shumë liderë në samitin e G20-ës përshirë presidentin amerikan, Donald Trump, presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, kryeministren britanike, Theresa May dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel”, theksoi ai.

Marrëveshja në fjalë u njoftua pas takimit dypalësh mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin, të cilët u takuan në Hamburg të Gjermanisë në kuadër të samitit të G20-ës.