Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean Yves Le Drian, gjatë një vizite në vendet e Gjirit, deklaroi sot se kërkon të ndihmojë në përpjekjet e ndërmjetësimit për t’i dhënë fund krizës mes Katarit dhe katër vendeve të tjera.
“Franca duhet të jetë një lehtësues, duke mbështetur ndërmjetësimin e Kuvajtit në këtë krizë”, deklaroi Le Drian për median, në fillim të vizitës së tij në Doha, ku do të takohet me homologun e tij, sheikun Mohammed ben Abderrahmane Al Thani dhe emirin, sheiku Tamim ben Hamad Al-Thani, raporton AFP.
Sipas Parisit, misioni i Le Drian synon të nxisë një zbutje të shpejtë të kësaj krize diplomatike të paprecedentë në zonën e Gjirit.
Ai do të shkojë gjithashtu në Arabinë Saudite, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Më 5 qershor, Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti ndërprenë marrëdhëniet e tyre me Katarin dhe i vendosën sanksione ekonomike, duke e akuzuar se mbështet terrorizmin dhe duke e kritikuar për lidhjet e ngushta me Iranint.