15 tonë e 162 kilogramë kanabis është sasia e drogës që është sekuestruar gjatë operacionit në Llakatund të Vlorës. Lajmi konfirmohet nga Policia.
Gjatë operacionit, që u ndoq dhe u monitorua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i SH.Ç.B.A., u sekuestruan edhe 5 armë zjarri, 3 presa që presonin lëndën narkotike, vaj hashashi, sita e përbërës kimikë.
Operacioni startoi dje nga Policia e Vlorës mbështetur nga FNSH-ja e Fierit, Specialistët e SHÇBA-së dhe Prokuroria e Vlorës.
Të enjten, u sekeustua në 3 banesa të fshatit Drithas 14 ton e 466 kg kanabis në formë boçesh dhe çokollatë. Janë asgjësuar rreth 270 bimë narkotike.
Janë arrestuar në flagrancë 9 shtetas, ndër këta 2 punonjës policie dhe 1 kryeplak fshati. Në këtë operacion masiv kanë marrë pjesë rreth 150 forca policie.
Gjithashtu, ditën e sotme, në vijim të operacionit masiv antidrogë në Llakatund, është gjetur një tjetër sasi kanabisi në fshatin Drithas, e cila pas peshimit rezultoi prej rreth 696 kg.
Forcave mbështetëse të policisë u është shtuar edhe asistimi i qenit antidrogë, i specializuar për konstatimin e lëndës narkotike.
Policia njofton se vazhdojnë veprimet e mëtejshme të transportimit të lëndës narkotike drejt ambienteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë.