Zëvendës-kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Bujar Osmani, ka takuar sot në vilën ‘Vodno’ Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Gjatë takimit janë hapur çështjet aktuale politike, kohabitimi ndërmjet Qeverisë dhe Presidentit të shtetit, si dhe marrëdhëniet mes përfaqësuesve  politik dhe mundësitë e avancimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.

‘Megjithëse  përcaktimi ynë mbetet parimi i konsensusit etnik gjatë zgjedhjes së Presidentit të radhës të Republikës së Maqedonisë, ne shtrijmë dorën e arritjes së unitetit, konsensusit dhe të mbështetjes së reformave të nevojshme për integrimet tona evropiane dhe euro-atlantike. Inkluziviteti është me rëndësi për sigurimin e kohabitacionit më të qëndrueshëm mes Qeverisë dhe Presidentit me çka do të sigurohej funksionimi më i mirë, më efikas dhe më i qëndrueshëm, i sistemit politik,’- tha Osmani pas takimit.

Gjatë takimit, Zëvendëskryeministri Osmani prezantoi Planin 3-6-9 dhe informoi Presidentin Ivanov për rrjedhën dhe mënyrën e implementimit të masave dhe reformave të këtij plani si dhe për arritjen e unitetit politik për çështjet kyçe politike, sikurse është Marrëveshja me Bullgarinë, por edhe qasja e re në ndërtimin e mirëbesimit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ndër të tjera, një vëmendje të veçantë i kushtova eksplikimit të pjesës së Planit që lidhet me marrëdhëniet ndëretnike, respektivisht propozim-ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve. Krahas mbështetjes edhe për masat e tjera nga Plani 3-6-9, nga Presidenti Ivanov kërkova  mbështetje edhe për ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve, – tha Osmani duke shtuar se për ligjin e ri për gjuhët pret mbështetje edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, me çka, për këtë çështje të rëndësishme, do të arrihej konsensus politik dhe ndërinstitucional.