Nga tërmeti i fuqishëm janë regjistruar dëme të mëdha. Epiqendra e tij ka qenë 10 kilometra në lindje të Ohrit në afërsi të fshatit Kosel, në thellësi prej më pak se 10 kilometrash dhe për këtë arsye lëkundja ka qenë e fuqishme. Qytetarët kanë paraqitur disa dëme materiale, por tani për tani nuk ka të dhëna për persona të lënduar. Shumë qytetarë të Ohrit kanë dalë nëpër rrugët e Ohrit dhe refuzojnë të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.

Sipas të dhënave të Alsat-it, dëme ka në një kopsht për fëmijë ku kanë krisur muret dhe tavani, janë rrëzuar disa oxhaqe dhe janë dëmtuar disa mure të shtëpive, ndërsa nëpër shitoret janë rrëzuar artikujt. Në disa vende jashtë qytetit, dëshmitarët okular njoftojnë se ka pasur rrëshqitje të gurëve nga kodrat. Tani për tani, ka informatë të pakonfirmuar se te Sulfatorja mbi fshatin Kosel, në afërsi të epiqendrës, janë hapur disa vrima të reja prej ku përhapet era e sulfurit.