Turistët nga Kosova janë gjithnjë e më të paktë në Strugë. Në të kaluarën ishin të shpeshtë mysafirët nga atje, sidomos gjatë udhëtimit drejt Shqipërisë, por edhe pushimet verore i kalonin në disa kapacitete hoteliere në qytet. Por tani gjithnjë e më shumë shkojnë drejt bregdetit shqiptar përmes autostradës kombëtare që lidhë Prishtinën me Durrësin, njofton Alsat-M.

Hotelierët janë optimistë se punët mund të ndryshojnë. Struga para fillimit të verës kishte prezantim në panairin për turizëm në Prishtinë, që sipas autoriteteve lokale është e domosdoshme për kthimin e mysafirëve nga Kosova.

Edhe hotelierët thonë se numri i mysafirëve nga Kosova është ulur në mënyrë drastike, edhe pse theksojnë se janë konsumatorë të shkëlqyeshëm. Shkaqet për këtë thonë se më shumë kanë të bëjnë me infrastrukturën e keqe rrugore e cila çon drejt Ohrit dhe Strugës. Apelojnë të rritet promovimi i rajonit të Prishtinës dhe Tiranës me qëllim që të kthehen mysafirët e këtij tregu.