Pas bllokimit që deputetët e VMRO-DPMNE-së i bënë shkarkimit të Marko Zvërlevskit nga posti i Prokurorit Publik, partia opozitare tani po bllokon edhe zgjedhjen e zv/sekretarëve të Kuvendit. Fjalimet procedurale, pauzat, replikat dhe kundër-replikat midis deputetëve të opozitës e karakterizuan edhe debatin e sotëm në organin ligjvënës. Pavarësisht se erdhën të lodhur ngaqë mbrëmë kishin punuar deri në orët e vona pas mesnate, deputetët e opozitës vazhduan praktikën e të debatuarit mes vete. Ata mbronin qëndrimin se buxheti i vitit 2016-të ishte realizuar në mënyrë të duhur pavarësisht krizës politike. Ata madje i rekomandonin Qeverisë së re t’i përfundojë projektet e Qeverisë së mëparshme dhe të ndjek hapat e saj në zhvillimin e vendit.

Sot Maqedonia prodhon autobusë, autobusë të cilët eksportohen në tregjet industrial më të zhvilluara teknologjikisht. Maqedonia për momentin, duke iu falënderuar Qeverisë së mëparshme të VMRO DPMNE-së ka eksport që është më i madh se ajo që Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi e kanë së bashkë- tha Vllatko Gjorcev, VMRO DPMNE.

Andaj ngrohtësisht i rekomandoj zotit Tevdovski të vazhdojë dhe t’i hapë të gjitha marrëveshjet e mundshme me investimet e huaja direkte. Do të shohë se ka efekt të shumëfishtë-tha Vlladanka Aviroviq, VMRO DPMNE.

Në vitin 2016-të shpenzohej në mënyrë të duhur. Në vitin 2016-të mblidheshin tatimet sipas Ligjit. Në vitin 2016-të pagat paguheshin në kohë në administratën publike- shtoi Dragan Danev, VMRO DPMNE.

Për shumicën e deputetëve të cilët nuk ishin aktiv në foltore, debati ishte i bezdisshëm./Alsat-m