Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin e vendit që do të mbaheshin më 11 qershor, partia me orientim fetar “Fjala” kishte themeluar një degë të saj në Zvicër. Për më tepër, siç shkruan gazeta “NZZ am Sonntag” në botimin e saj të sotëm, kjo parti tashmë ka një rrjet në Zvicër dhe mban kontakte të ngushta me IZSR-në (Këshilli Qendror Islamik i Zvicrës) famëkeq dhe me disa xhami shqiptare të kontestuara në Zvicër.

“Dhe, kur jemi te dega e partisë”, shkruan gazeta, “tre kandidatë të saj nga Zvicra kanë garuar për t`u zgjedhur në Parlamentin e Kosovës. Sigurisht, pa sukses”.
Duke e cituar eksperten e islamit, Saida Keller-Mesahli, në artikull më tutje thuhet se “partia ka ndikim të theksuar në Zvicër ku dhe është e lidhur mirë me rrjetet radikale”, transmeton albinfo.ch.

“’Fjala’ bën politikë salafiste e cila rrjedh nga jetësimi tekstual i Kuranit dhe sistemi juridik i Sheriatit janë bazat e saj”, thotë Mesahli, që është dhe kryetare e Forumit për Islamin Progresiv.

Ajo më tutje këto qëndrime i mbështet me faktin se eksponentë të partisë “Fjala” janë takuar shumë herë me IZSR-në dhe kanë bashkëpunuar me të. Po ashtu, sipas saj është simptomatik fakti se “Fjala” është angazhuar për qendrën e sporteve luftarake të Shemsi Beqirit, i cili është angazhuar në aksionin e njohur e të kontestuar të shpërndarjes falas të Kuranit. Beqiri është i njohur edhe si personi që ka stërvitur delinkuentin e njohur Carlos, i cili pastaj është konvertuar në islam. Në rrjetet sociale mund të gjenden mjaft fotografi në të cilat Shemsi Beqiri merr poza me përfaqësues të partisë së përmendur. Madje, medhe vet kryetari i partisë, Gëzim Kelmendi, është prezantuar me Beqirin gjatë një vizite të tij në Solothurn, Zvicër .

“Kelmendi qëndron herë pas here në Zvicër”, vazhdon gazeta. “Ai ka qenë mysafir në xhaminë shqiptare në Aarburg (AG). Për këtë xhami ka punuar njëri ndër politikanët e partisë së Kelmendit, në Zvicër. Ai, sot drejton radion online ‘Pendimi’ e cila transmeton në gjuhën shqipe dhe arabe dhe shërben si platformë e predikuesve radikalë dhe propagandon edhe për IZSR-në”.

Por, përfaqësuesi i kësaj të fundit, Qaasim Ali, thotë se raporte formale nuk kanë me radion dhe partinë e përmendur. Por, më tutje artikulli thekson se afërsia e partisë “Fjala” me IZSR-në shpjegohet edhe me faktin se kryetari i IZSR-së, Nicolas Blanco, ka marrë për grua të dytë të tij motrën e njërit nga aktivistët e partisë “Fjala”. /albinfo.ch/