“New York Times” vazhdon ta ndjekë çështjen e Donald Trump Jr., e në shkrimin e fundit thotë se i biri i presidentit ishte informuar që të dhënat e ofruara prej avokates ruse ishin pjesë e përpjekjeve të Moskës për të ndihmuar fushatën e të atit.

Njeriu që organizoi takimin, publicisti Rob Goldstone raportohet ta ketë pohuar një gjë të tillë në një “e-mail” të drejtuar 40-vjeçarit.

Trump Jr. e mbron takimin, ku Natalia Veselnitskaya premtoi sipas tij të përcillte materiale të dëmshme për Hillary Clinton, por këmbëngul se në fund ajo nuk dha asnjë informacion të qenësishëm mbi rivalen e Trumpit për Shtëpinë e Bardhë.

Goldstone, më herët e kishte mohuar të ishte në dijeni të ndonjë përfshirjeje të qeverisë ruse.

Kremlini u distancua menjëherë nga afera, duke thënë se nuk dinte asgjë mbi takimin e vitit 2016. Zëdhënësi i tij u shpreh se nuk e njeh avokaten Veselnitskaya dhe “nuk mund të ndjekë lëvizjet” e çdo avokati rus, apo kontaktet e tyre jashtë vendit.

Pretendohet se, as vet Trump nuk e ka ditur çfarë po bënte i biri. Mediet amerikane njoftojnë se Veselnitskaya njihet për përpjekjet e saj për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë, të vendosura pas abuzimeve me të drejtat e njeriut.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller dhe disa komisione të Kongresit po zhvillojnë hetime paralele për të parë nëse pati bashkëveprim ndërmjet anëtarëve të ekipit elektoral të Trumpit dhe Kremlinit, në veçanti rreth përpjekjeve të Rusisë për të ndikuar përmes “hacker”-ave zgjedhjet presidenciale amerikane.