Shkruan: Suzana Ejupi

Shoqërisë tonë i nevojitet një elitë psikoanalistësh, për të deshifruar prirjet e fshehta dhe shkatërruese të udhëheqësve, ose përfaqësuesve jo të përgjegjshëm, nisur nga nivelet e ulëta deri në nivelet më të larta të organizimit shoqëror. Kjo iniciativë shoqërore, të mos merret si një tendencë për të diagnostikuar gjendjen e tyre mendore ose shpirtërore sa për sport, por për të filtruar kapacitetet e tyre dhe për të identifikuar prapavijën dinjitoze ose jodinjitoze të qëllimeve të tyre, të cilat nëse hetohen me kohë dhe në mënyrën e duhur, shoqëria nuk e pëson me regresion, dhe, zhvillimi i mëtejshëm do të jetë prezent, i dukshëm dhe i prekshëm për qytetarët.

Në shoqëritë e zhvilluara, një kandidat i mundshëm, për të përfaqësuar një shumicë njerëzish në të drejtat dhe interesat e tyre, vëzhgohet, analizohet dhe kritikohet hapur dhe me argumente të arsyeshme, me qëllim që të sigurohet një përfaqësim i denjë, ndërsa në shoqërinë tonë, gati se hapësirë i jepet çdo kujt që shpreh interesim dhe guxim të na përfaqësojë, pavarësisht se po i njëjti nuk zotëron përgatitjen e duhur intelektuale dhe profesionale dhe përvojën e duhur në shërbim të bashkësisë. Madje, disa nga ata kanë aftësi të kufizuara, vlera të mangëta dhe interesa të ngushta personale, gjë që në vazhdimësi acaron ndjenjat e qytetarëve në heshtje.

Ne, si qytetarë të ndërgjegjshëm duhet të jemi vigjilentë në përzgjedhjet tona, qoftë në rrafshin individual, ashtu edhe kolektiv, ngaqë të qenët indiferent në këtë drejtim, krijon hapësirë dhe u jep mundësi njerëzve jo meritor dhe të padëshmuar, të na përfaqësojnë dhe nënvlerësojnë, ose degradojnë nevojat dhe kërkesat që kemi ne si shoqëri.

Jetojmë në një kohë ku qasja shumë e lehtë në rrjetet sociale mundëson publicitet të hatashëm dhe biografi të paverifikueshme, t’i vishet çdo personi, ka ose nuk ka bagazh të përshtatshëm për të përfaqësuar një qëllim, kauzë ose mision. Një publicitet i mirë menduar krijon imazhe të paqena ose krijon figura njerëzore iluzionare, me atribute dhe merita inekzistente. Për më tepër, një publicitet i rrejshëm krijon mendësi ose opinion të gabuar në popull, e cila nëse nuk përkon me potencialet reale të një personi të caktuar, si rrjedhojë pësojmë një përfaqësim joadekuat, në çdo sferë të jetës publike dhe politike. Fillimisht, ky mospërfaqësim nuk është i dukshëm, ngaqë reklama dhe shpëlarja e trurit që na bëhet, krijon një mjegull të errët në syrin e brendshëm të popullit dhe kjo pamundëson të menduarit analitik dhe kritik të masës shoqërore, kundrejt përfaqësuesve të kamufluar me petkun e progresit dhe kontributit. Kjo verbëri gjithpërfshirëse në popull është krijuar në saje të çudirave që lançon bota virtuale dhe tendenca për t’u dukur, krahas tendencës për të qenë. Një mashtrim i këtillë po realizohet në të gjitha sferat shoqërore dhe ka lëshuar metastaza të rrezikshme, me ngjyrime sipërfaqësore zhvillimore të gjendjes qytetare. Sidoqoftë, duke përjashtuar përfaqësuesit e denjë në rrethanat tona, të cilët e kanë dëshmuar veten në punën që bëjnë, përfaqësuesit e tjerë jo të denjë, duhet t’i nënshtrohen një testi të thukët dhe disa provave përcaktuese ose definuese të qëllimeve që ata kanë dhe meritave që zotërojnë, në raport me nevojat e popullit.

Pra, para se të lejojmë çdo njeri të rastësishëm, të bëhet faktor dhe të na përfaqësojë, duhet të zbatojmë mekanizma filtrues dhe zbulues të biografive të dyshimta ose të rrejshme, të përfaqësuesve jo të denjë, me qëllim që të mënjanojmë ngecjet e vazhdueshme në proceset mbarëshoqërore.

Për më tepër, duke qenë të heshtur dhe jokritik përpara përfaqësuesve jo të denjë, krijojmë boshllëqe të parikuperushme në ardhmërinë e një populli. Andaj, nuk duhet lejuar kushdo që i teket të na përfaqësojë dhe, në veçanti, nuk duhet lejuar që ky të kalojë ‘provimin’, pa u verifikuar formimi i tij në karakter, përvojë dhe meritat që ai realisht dhe në mënyrë të pakontestueshme zotëron.

Duhet me çdo kusht të përkrahim dhe promovojmë njerëz meritorë, që kanë karizmë të liderit dhe përgatitjen e duhur, për t’u përballur me një sfidë të përgjegjshme, si ajo e përfaqësimit të denjë të popullit. Kjo që po them, mund të duket e paarritshme dhe e largët si ide, por duhet nisur dikur; dhe nëse veprojmë me seriozitet në këtë drejtim, do të krijojmë kushte që në të ardhmen, të parandalohen përfaqësues jo të denjë, në pozita politike, kulturore, ekonomike, shoqërore etj. Nuk duhet harruar që njerëz të tillë e mbajnë popullin në gjendje amullie, ku asnjë proces zhvillimor nuk ecën përpara, përpos atyre personale. Një shoqëri që i hap rrugën çdokujt për ta përfaqësuar, është e dënuar të zhgënjehet në vazhdimësi. Në fund, më lejoni ta përfundoj këtë shkrim me një thënie të Colin Powell-it, që thotë: “Më jep njerëzit e duhur dhe çfarë do organizate: mirë do të bëhet. Më jep njerëzit e gabuar; çfarë do të synosh të bësh me organizatën, keq do të bëhet.”