Ish-Presidenti Bujar Nishani në një intervistë në “Arena” nga Dritan Hila në Ora News ka folur për marrëdhënien institucionale që ka pasur me kryeministrin Edi Rama.

Nishani është shprehur Rama duhet të bëhet pishman dhe duhet të ndihet jo mirë për disa veprime dhe qëndrime në raport me Presidentin dhe pse jo edhe me Bujar Nishanin.

Hila: Z.President, si do ta vlerësonit bashkëpunimin me kryeministrin Rama gjatë këtyre 4 viteve?

Nishani: Ka qenë një marrëdhënie e ftohtë, gjithsesi institucionale. Kurrë nuk e kam atakuar. I kam kthyer disa përgjigje disa herë kur është tejkaluar masa. Nuk mund të rrija në heshtje. Nuk kam fyer kurrë, nuk kam sharrë kurrë, nuk kam akuzuar kurrë. Kam shprehur shqetësime për disa fenomene negative por i kam rezistuar presionit. Ka pasur presione të panevojshme. Jo gjithmonë drejtpërdrejt si individ nga kryeministri, por pa dyshim nga njerëz përreth kryeministrit. Askush prej tyre nuk mund të guxonte të ushtronte presion, apo të fyente Presidentin pa e pasur aksesin apo licencën nga kryeministri, për të cilën besoj se duhet të ndiqet keq pas këtyre 5 vitesh në qoftë se i rikthehet retrospektivës, sepse Presidenti nuk është atje qoftë edhe nëse do të ishte i ardhur nga Partia Socialiste sepse unë vij nga një tjetër krah politik, por i pangarkuar politikisht në aspektin e raportit personal. Unë nuk do të votoja për Partinë Socialiste dhe nuk do të votoj, por kjo nuk do të thotë që Presidenti duhet trajtuar si kundërshtar politik. Presidenti duhet trajtuar si Institucion dhe ndërton raportin në baza institucionale. Unë i kam qëndruar korrekt mënyrës së komunikimit dhe respektimit ndaj institucionit të kryeministrit. Nuk kam pasur kurrë iluzione që është Presidenti ai që udhëheq vendin. Udhëheqësi dhe drejtuesi është kryeministri sepse ne jemi një Republikë parlamentare.

Kam mbrojtur dinjitetin e kreut të Shtetit. Kam ushtruar kompetencat e mia në politikën e jashtme dhe dua të garantoj sot çdo qytetar shqiptar që e kam përfaqësuar me shumë dinjitet Shqipërinë dhe shqiptarët në aktivitete të panumërta dhe në rangje më të larta globale ku kam marrë pjesë. Kam bërë detyrën dhe nuk kam bërë asgjë më shumë. Kam ditur ta paraqesë dhe e kam paraqitur në mënyrë dinjitare në sallonet dhe kancelaritë më të rëndësishme të botës. Më vjen mirë që e kam arritur këtë jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në institucione të tjera ku Presidenti ka pasur tagrin e vet pa u ndikuar nga humori i kryeministrit që gjithsesi mendoj që duhet të bëhet pishman dhe duhet të ndihet jo mirë për disa veprime dhe qëndrime në raport me Presidentin e Republikës dhe pse jo edhe me Bujar Nishanin.