Subvencione shtesë ose blerje intervente, janë dy opsionet për blerje pa pengesa e grurit, por cila do të jetë zgjidhja më adekuate do të dihet pas analizave në terren dhe bisedimet me palët e cenueshme, kumtoi sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski.

Sipas tij, arsyeja për disbalans të tregut është vendimi i qeverisë paraprake e cila në maj të këtij viti ka shitur 21.000 tonë grurë nga rezervat shtetërore. Gruri është blerë nga 14 denarë për një kilogram, ndërsa është shitur për gjashtë.

“Vendimi i pamatur i qeverisë paraprake shkon në dëm të drejtpërdrejtë të bujqve edhe kjo e bën disbalansin e tregut”, thekson Nikollovski.

Siç informon, deri në fund të këtij muaji do të dihet çmimi i prodhimit dhe i tregut. Ky do të jetë një prej treguesve për marrje të masës adekuate, ndërsa paralelisht ndiqet edhe gjendja në terren. Gjithashtu, këto ditë do të mbahet takim i përbashkët me prodhuesit dhe blerësit në të cilën do të kumtohen politikat e parapara.

“Bëhen analizat e fundit në nivel të grupeve nënsektoriale. Nuk duam të spekulojmë rreth çmimit të grurit, të japim deklarata të pabaza, pa hulumtime adekuate”, nënvizoi ministri Nikollovski.

Sivjet, tha, janë mbjellë rreth 74.000 hektarë grurë buke ose 6.000 më pak se vjet. Arsyeja kryesore për sipërfaqet e zvogëluara janë kushtet jo të volitshme të motit.