Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka bërë sot një sulm përvëlues ndaj Bashkimit Evropian në një takim prapa dyerve të mbyllura të liderëve të Evropës lindore në Budapest, duke thënë se BE-ja do të vdesë dhe shuhet nëse nuk e ndryshon politikën ndaj Izraelit.

Komentet e tij, të kapura në një mikrofon të hapur, nënvizuan përbuzjen shpesh të maskuar të Netanyahut për unionin politik evropian, i cili e ka kritikuar Izraelin – dhe qeverinë e tij në veçanti – për çështje siç janë ndërtimet e vendbanimeve hebre në territoret e okupuara palestineze dhe procesin e paqes, transmeton Express.

Po ashtu, Netanyahu e bëri edhe një pranim të rrallë publik se Izraeli i ka goditur konvojët iranianë me armë në Siri, të cilët për destinacion e kishin Hezbollahin, siç ka thënë ai, dhjetëra e dhjetëra herë.

Komentet e tij të përgjuara janë raportuar nga gazetarët izraelitë që po e mbulonin udhëtimin e tij.

“Mendoj se Evropa duhet të vendosë nëse dëshiron të jetojë dhe lulëzojë apo nëse dëshiron të fishket dhe zhduket. Nuk jam shumë korrekt politikisht. E di se kjo po ju tronditë disa prej juve. Është shaka. Por e vërteta është e vërtetë – edhe e ardhmja e sigurisë së Evropës dhe ekonomisë së Evropës. Të dyja urdhërojnë politikë ndryshe drejt Izraelit,” ka thënë Netanyahu.

Ai u ankua se BE-ja është organizata e vetme e shteteve në botë që i kushtëzon marrëdhëniet e saj me Izraelin.

“Bashkimi Evropian është shoqata e vetme e shteteve në botë që e kushtëzon marrëdhëniet me Izraelin, e cila prodhon teknologji në çdo fushë, në kushte politike. E vetmja! Askush tjetër s’e bën,” ka shtuar ai.