Nëna Qamile mezi ka kaluar Muajin e Ramazanit duke agjëruar. Disa ditë pas festës së Bajramit, që solli pak buzëqeshje në familjen Salihu, ajo thotë se kështu si në agjërim e kanë gjithë jetën nga skamja. Në këtë kasolle me dy dhoma jetojnë 8 anëtarë të kësaj familje, në Lagjen e Trimave nga Kumanova. Nga vjetërsia, Qamilja thotë se shtëpia mund të rrënohet. Ajo në moshën 46 vjeçe, thotë se nuk ka parë ditë të bardhë në këtë shtëpi nga varfëria e skajshme. Burri i saj është i pa punë, ndërsa rrisin dy fëmijët e tyre me vështirësi për t’i ushqyer e për t’i shkolluar.

“Na jemi dy familje. Vetëm me pensionin e vjehrrës mbetemi gjallë, por edhe burri çka të mundet punon rrallë ndonjëherë sepse nuk ka punë. Jemi kallaballëk, në këtë dhomë flemë 5 veta, në këto kushte jetojmë dy familje”, tha Qamile Salihu, Nëna.

Në depon e ushqimit, gjenden të gjitha vjetërsirat, përpos ushqimit. Frigoriferi i tyre është i zbrazët, me gjëra ushqimore, por i mbushur me barëra. Ajo thotë se përveç skamjes nuk janë mirë as me shëndet. Për, ilaçe mezi se bëhen t’i blejnë, si për vete ashtu edhe për vjehrrën e sëmurë 75 vjeçe.

“Ndokush na ndihmon se me një pension nuk mund të rrojmë. Vet jam e sëmurë, vjehrra edhe më tepër, të dyja nuk jemi mirë me shëndet. Fëmijët janë rritur, kërkojnë kushte, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Kush ka mundësi të na ndihmon për shtëpi e për gjithçka kemi nevojë. Për rrymën kemi borxh ashtu edhe për ujësjellësin, nuk mund t’i arrijmë të gjitha.”

“Po na kanë ndërprerë  rrymën, por i kemi marr paret borxh dhe e kemi paguar, por tash ato borxhe duhet t’i paguajmë”, shtoi Qamile Salihu.

Dhoma e vetme që kanë e përdorin për të ndenjur në të ditë e natë. Në korridor kanë të gjitha orenditë që posedojnë për enët e kuzhinës dhe dollapët për rroba. Tavani i shtëpisë pothuajse ka rënë, ata gjumin e kanë ankth se mos i zënë rrënojat natën.

“Të gjitha i kemi pasur kështu, pak këtë dhomë e ka rregulluar bashkëshorti im. Edhe dhoma tjetër është duke u rrënuar, mund edhe të na mbysë. Gjatë reshjeve të shiut brenda hyn edhe uji. Tjetër nuk di çfarë t’ju them. Kush mund të na ndihmoj i falënderojmë”, u shpreh Nëna Qamile.

Të gjitha orenditë e vjetra iu kanë shkatërruar nga shiu që bie e hyn brenda, thotë Qamilja.  Në dhomën tjetër jeton vëllai tjetër me bashkëshorten dhe djalin e tyre 3 vjeç. Ajo thotë se nuk kanë as banjë.

“Po krejt i merr uji, lagen ato pak gjëra që i kemi brenda. Po ka ndodhur që të pikoj shiu edhe në qarkun elektrik, që shpesh herë na ka rrezikuar jetën”, përfundoi ajo.

Nëna Qamile bën apel për të ndihmuar familjen e saj 8 anëtarësh.

Comments are closed.