Aida, nëna e Eneo Ferkos, ka rrëfyer tronditjen që pësoi kur hapi SMS-të e djalit të saj të ndjerë dhe vajzës 17-vjeçare me të cilën ai kishte pasur lidhje. Në një intervistë ajo tregon se si vajza 17-vjeçare tallej me të birin e saj, e përqeshte dhe e nxiste që të vetëvritej.

“Ajo ishte një 17-vjeçare nga Peqini, me të cilën u njoh në Facebook në muajin janar. Duke qenë se fëmijët e mi janë rritur me shumë halle për shkak të problemeve që ne prindërit e tyre kemi pasur sa ishim bashkë, e pastaj ndarja jonë, djemtë ishin të palumtur. Ishte rritur mes dhimbjes. Dhe, unë vura re që gjatë kohës që fliste me të, djali po çelej. Ishte i lumtur, gëzonte. Dhe, kur më tha që fliste me një vajzë, nuk i thashë asgjë. U gëzova që ajo po ma bënte të lumtur djalin”, thotë ajo.

Të rinjtë u njohën në janar dhe më 3 mars kishin lënë takim.

“Pas një jave djali kishte ikur prapë, pa më thënë, dhe kishte shkuar dhe e kishte marrë vajzën. S’e di se si vendosi ta marrë, por kishin ikur të dy atë natë. Prita të vinte në shtëpi, por nuk erdhi dhe telefonin e kishte mbyllur. Të nesërmen prisja me gjak të ngrirë ndonjë lajm prej tij. Kisha frikë ngaqë dyshoja te rrahja para një jave. Kur prisja telefonatë nga djali, më mori policia e Fierit dhe më tha të shkoja në komisariat. Vajta atje e mora vesh që djali e kishte marrë vajzën dhe prindërit e saj e kishin denoncuar në Peqin, ngaqë ajo ishte e mitur. Unë s’dija asgjë”, thotë nëna e dëshpëruar.

Vajza kishte marrë rrobat me vete dhe para për të cilat tha se ia kishte dhënë e ëma.

“Shkuam pas dy ditësh në polici edhe prindërit e saj dhe ne dhe deklaruam që vajza iku vetë e ne do ta mbanim për nuse. U bë fakt i kryer ky muhabet. Aty në polici u vendos. Ajo iku në datën 1 qershor. Eneo vetëm qante pa pushim. Ishte i dërrmuar plotësisht. Nuk kishte pasur asnjë faj dhe s’dinte pse ajo kishte njoftuar njerëzit ta merrnin. Ishte i dashuruar djali pas saj. Çmendej. I fola, e ngushëllova, madje i thashë më mirë do ishte se ishte i ri e kishte jetën para dhe sikur u qetësua. Që nga ajo ditë erdhi jetoi tek unë djali dhe nuk vija re ndonjë gjë për t’u shqetësuar”, thotë nëna teksa tregon se të djali kishte bërë një video kur kishte pirë fostoksinën e që ta bindte vajzën.

“Ajo qeshte. Tallej, e nxiste dhe i thoshte se nuk ishte nga ata burra ai që të vdiste”, thotë ajo. “Dua drejtësi. Ajo vajzë është shkaktarja që ma nxiti djalin drejt vetëvrasjes. I thoshte në mesazhe ‘vdis, je burrë apo s’je’”!