Gjithsej 111 pjesëtarë të forcave gjermane të sigurisë janë plagosur gjatë mbrëmjes së kaluar dhe paradite në Hamburg, në përleshjet me pjesëmarrësit në protestat kundër Samitit të Grupit të 20 vendeve më të zhvilluara në botë (G-20), që fillon sot në këtë qytet gjerman, kumtoi policia.

Tash për tash nuk ka informacione për demonstrantë të lënduar ose të arrestuar.

Siç njoftoi DPA, në kumtesën e policisë theksohet se pjesëtarët e forcave të rendit mëngjesin e sotëm kanë arritur t’i shtypin demonstrantët antiglobalistë nga rruga përmes së cilës “me siguri do të kalojë” delegacioni i presidentit amerikan Donald ramp.

Gjatë aksionit për shtypje të protestuesve policia ka përdorur edhe topa uji.

Paraprakisht është komunikuar se grupi i antiglobalistëve kanë sulmuar stacion policor në rajonin e Altonës në Hamburg. Në këtë pjesë të qytetit protestuesit u kanë vënë flakën edhe disa automobilave, ndërsa janë regjistruar edhe përleshje të reja mes antiglobalistëve dhe policisë.

Autoritetet lokale kumtuan edhe për zjarr në një depo të sallonit për automobilë. Në shuarjen e zjarrin marrin pjesë më shumë se 60 zjarrfikës.

Akoma nuk dihet nëse zjarri është i ndërlidhur me protestat e mbrëmshme të antiglobalistëve në Hamburg.

Persona të njohur, për të cilët supozohet se janë anarkistë, dje kanë vënë zjarr në një autosallon të “Porshesë” në Hamburg, me ç’rast janë djegur dhjetë automobila.