Deputetë të Parlamentit të Kosovës, përfaqësues të Organizatave joqeveritare dhe qytetarë të shumtë prizrenas, të premten në mbrëmje, marshuan nga Xhamia e Sinan Pashës, deri te ndërtesa e Konsullatës së përgjithshme të Turqisë në Prizren, në marshin “Solidarizim me Demokracinë” në njëvjetorin e puçit të dështuar në Turqi.

Para marshit “Solidarizim me Demokracinë” për nder të dëshmorëve të rënë  në Xhaminë e Sinan Pashës u organizua Mevludi dhe Duaja e Hatmes, ndërsa para konsullatës së Turqisë në Prizren u vendosën lule.
Ilir Gashi në emër të Grupit organizues  tha se njëjtë si para një viti siç ndodhi në Turqi që nëpërmjet salave nga minaret e xhamive populli turk u mobilizua për ta mbrojtur rendin juridik  ne sonte këtu pas thirrjes së salasë jemi mbledhur për ta kujtuar atë natë e cila shpresojmë të mos përsëritet kurrë.

Ai falënderoi pjesëmarrësit ndërsa shtoi ky marsh u organizua në solidarizim me popullin dhe shtetin turk.
“Jemi mbledhur sonte këtu për tu solidarizuar me popullin turk, shtetin turk për atë që ndodhi para një viti, për atë tentim grushtet të dështuar që u organizua për ta rrezuar vullnetin e popullit dhe për ta rrëzuar demokracinë në Turqi. Jemi mbledhur këtu sepse shteti turk dhe populli turk janë  prej miqve tanë më të mëdhenj që gjithmonë i kanë hapur dyert kur ne ishim në vështirësi. Jemi këtu në shënjë falënderimin për ndihmën e tyre për çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë dhe ndihmën në të gjitha proceset deri tani”, tha ai.

Përveç përkujtimit e në mbrojtje të shtetit turk jemi këtu, tha më tej Gashi , për ta dhënë edhe një mesazh tjetër një përkujtim që të mos lejojmë as në Kosovë struktura paralele.
“Jemi këtu edhe për një përkujtim tjetër. Nuk duhet ta lejojmë asnjëherë formimin e strukturave paralele, të cilat me anë të shpëlarjes së trurit të të rinjve të cilën mund ta sjellin në atë gjendje që një kohë e kthejnë edhe tytën kundër popullit dhe kundër rendit juridik. Bëjmë thirrje që të mos lejohen strukturat e tilla as në vendin tonë dhe në asnjë vend të botës”, tha Gashi.
Të njëjtin mesazh në gjuhën turke e lexoi njëri nga bashkëorganizatorët, profesor Xhengiz Çesko.

Të shtunën  marshi “Solidarizim për Demokracinë” do të mbahet  edhe në Prishtinë. në orën 17:00, dhe do të marshohet nga sheshi Skënderbeu deri te Zahir Pajaziti në Prishtinë.