LSDM-ja nuk përjashton iniciativën për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit me qëllim parandalimin e obstruksioneve të VMRO-DPMNE-së. Ndonëse nuk ka akoma asnjë iniciativë konkrete, socialdemokratët paralajmërojnë vendime të cilat sipas tyre do të zhbllokojnë punën e Kuvendit.

Do të bëjmë gjithçka që është e mundur me qëllim zhbllokimin e punës së Kuvendit. Qytetarët presin rezultate. Ata votuan për ndryshime që sjellin të mira për të gjithë. Në këtë drejtim do të jenë edhe vendimet e ardhshme – deklaroi Blagoj Boçvarski, nënkryetar i LSDM.

Aleanca për Shqiptarët njofton do të mbështesë çdo iniciativë për ndryshimin e rregullores. Nga ky koalicion i bëjnë thirrje edhe partive tjera parlamentare të mbështesin ndryshimet lehtësuese për reforma.

Aleanca për Shqiptarët do të jetë pjesë e iniciativës për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit të cilët pushteti i kaluar e ka bërë pa konsensus me opozitën. Reformat në drejtësi, ligjet që duhet të sillen me urgjencë dhe që janë në pajtueshmëri me legjislacionin Evropian, nuk mund të mbeten peng i obstruksioneve të VMRO-DPMNE-së – thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

Edhe partia opozitare Lëvizja Besa ndanë qëndrimin e njëjtë.

Lëvizja Besa mbështet çdo iniciativë e cila është në shërbim të funksionalitetit demokratik të institucioneve – thanë nga Lëvizja Besa.

Ndonëse të pyetur nga Alsat, nga BDI-ja nuk kanë qëndrim në lidhje me iniciativën për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Ditë më parë deputetët e subjektit në ekzekutiv e cilësuan si hap të gabuar vendimin e VMRO-DPMNE-së për të formuar 10 grupe parlamentare. Nga ana tjetër, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi veprimin e partisë së Nikolla Gruevskti e vlerësoi si vendim në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, ndërsa iniciativën e mundshme për ndryshimin e saj e cilësoi si hap i fundit që duhet të ndërmerret nga shumica parlamentare. Ndryshimin e rregullores mund ta iniciojnë deputetët, ndërsa kjo duhet bërë në konsensus me opozitën. Ndryshimet e fundit në Rregulloren e Kuvendit të Maqedonisë janë miratuar ën vitin  2008./Alsat-M