Sot, më 29 korrik 2017, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë Hysen Zherka, njëri ndër themeluesit dhe profesorët e parë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Hysen Zherka përfundoi studimet themelore të drejtësisë në Universitetin e Shkupit, ndërsa studimet post-diplomike për drejtësi i kreu në Universitetin e Zagrebit. Ishte ndër mësimdhënësit e parë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku fillimisht ligjëroi lëndën “Procedura Civile” dhe më pas lëndën “Historia e Shtetit dhe së Drejtës.” Gjatë karrierës së tij akademike Hysen Zherka shërbeu edhe si Prodekan për Mësim i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Hysen Zherka ishte ndër pjesëmarrësit më të ri të Luftës Nacional Çlirimtare për çka u dekorua me përkujtimoren e 1941. Pas Luftës Nacional Çlirimtare kreu funksione me përgjegjësi shoqërore, duke përfshirë punën e tij si gjyqtar për çështje civile dhe Zëvendës-Kryeprokuror i Kosovës.

Në dhjetor të vitit 1989 Hysen Zherka ishte një ndër 119 delegatët e Kuvendit Themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, më 30 korrik 2017, në ora 18:00 në varrezat e qytetit të Gjakovës. Kortezhi do të niset nga shtëpia e të ndjerit në Lagjen Taslixhe të Prishtinës, Rruga Rexhep Shema Nr. 22, në orën 16:00 me transport të organizuar.