Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet nesër, ku do të diskutojë mes të tjerash zëvendësimin e deputetit të ndjerë Gjovalin Kadeli.

Kadeli, i zgjedhur nga listat e PD-së në parlamentaret e vitit 2013, ndërroi jetë në maj, në një spital në Itali, atje ku ishte shtruar për shkak të një sëmundje të rëndë.

Artan Bushi, një tjetër emër nga lista e kandidatëve për deputetë të 2013-ës në qarkun Lezhë (i gjashti), pritet të zëvendësojë Kadelin. Detyrë që do ta mbajë deri në shtator, kur do të formohet legjislatura e re.

Në datën 24 korrik, në orën 18:00, Kuvendi do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, ku presidenti i zgjedhur Ilir Meta do të betohet për të marrë zyrtarisht detyrën si president i Republikës.

Pikat për diskutim nesër në mbledhjen e KQZ

– Për kallëzimin penal ndaj personave të ngarkuar me administrimin e proçesit të votimit dhe numërimit të votave, të cilët kanë shkelur dispozitat e kodit zgjedhor, për Zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 Qeshor 2017.

– Për miratimin e strukturës së buletinit për Zgjedhjet e Kuvendit të datës 25.06.2017.

– Për caktimin e masës së shpërblimit për anëtarët dhe sekretarët e ZAZ, të emëruar kryesisht nga KQZ për zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 Qershor 2017.

– Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit, të listës shumemërore të Partisë Demokratike në Qarkun Lezhë, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë.