Qyteti i vjetër i Jerusalemit morri sot pamjen e një fortese, ku një pjesë e dyerve të tij janë nën masa të larta kontrolli dhe hyrja në sheshin e Xhamive është e ndaluar.
Këto masa janë marrë një ditë pas sulmit vdekjeprurës kundër izraelitëve.
Të premten, tre arabë izraelitë vranë dy policë izraelitë, para se të vriteshin në sheshin e Xhamive, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit, raporton AFP.
Ky vend, që nga hebrenjtë nderohet si Mali i Tempullit, ndodhet në qytetin e vjetër në pjesë lindore të Jerusalemit të pushtuar nga Izraeli që prej vitit 1967.
Menjëherë pas atentatit, një prej incidenteve më të rëndë në këtë zonë në zemër të konfliktit izraelito-palestinez, autoritetet izraelite kanë ndërprerë hyrjen në shesh të paktën deri të dielën.
Vetëm personat që jetojnë në qytetin e vjetër mund t’i kalojnë pikat e kontrollit të ngritura nga policia.