Kryeministri në largim i vendit, Isa Mustafa, ka vlerësuar se zgjidhja e çështjes serbe në Kosovë dhe e problemeve me Serbinë është nyje e perspektivës evropiane të Kosovës dhe e stabilitetit afatgjatë.

Mustafa ka komentuar nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook ndaj propozimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për inicimin e një dialogu të brendshëm në Serbi për zgjidhjen e problemeve me shqiptarët.

“Zgjidhja e çështjes serbe në Kosovë dhe e problemeve me Serbinë është nyje e perspektivës sonë evropiane dhe e stabilitetit afatgjatë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Askush nga ne nuk e shfrytëzon pozitën e fuqisë dhe dominancës politike (sepse as që e ka – dhe mirë që nuk e ka ), si rasti i Presidentit serb, për inicimin e dialogut të brendshëm por mund të shfrytëzojmë diversitetin tonë të mendimit politik për të gjetur zgjidhjen më të mirë të përbashkët”, ka thënë Mustafa.

“Janë disa tema, të cilat nuk mund ti përballojmë të ndarë dhe të fragmentarizuar. Temat e mëdha shtetërore zgjidhen me kujdes të madh dhe konsensus të gjere politik, me institucione të qëndrueshme dhe me njerëz që mendojnë për shtetin, në bashkëpunim me SHBA-të dhe me Bashkimin Evropian”, ka vlerësuar Mustafa.