Rusia dhe Kina hodhën një hap të paprecedent në bashkëpunimin mes tyre. Presidentët Putin dhe Xhinping i nënshkruan një paketë të gjerë marrëveshjesh bashkëpunimi që arrijnë një vlerë prej 100 miliardë dollarësh, që kurrë më parë nuk ishte arritur deri më sot mes dy vendeve, që në historinë moderne nuk kanë qenë armiqsore ndaj njëra-tjetrës.

Marrëveshjet shtrihen mbi një gamë të gjerë, duke nisur nga politika e ushtria e deri tek energjia, teknologjia e kultura. Ndër të tjera, Rusia ka pranuar të bëhet pjesë e bankës aziatike të investimeve për infrastrukturën, e themeluar nga Pekini. Lëvizja shihet si një përpjekje e Rusisë për të qenë më aktive në lindje, për të zmadhuar barrierën e influencës amerikane. Një tjetër marrëveshje është ajo për të vënë në punë në 20 dhjetor të 2019-ës gazsjellësin e quajtur “Poëer of Siberia” “Fuqia e Siberisë”, që furnizon Kinën me gazin rus nga burimet siberiane. Kina dhe Rusia do të bashkëpunojnë edhe për eksplorimin e Hënës. Dhe tashmë do të ketë projekte konkrete.
Të gjitha këto u diskutuan takimin e nivelit të lartë të dy liderëve në Moskë, të hënën dhe të martën, që i paraprin samitit të G20-ës në Hamburg, të premten dhe të shtunën, ku do të jenë të pranishëm dy liderët. Gjatë takimit u diskutua edhe raketa ndërkontinentale e testuar nga Koreja e Veriut, që u hodh në ujërat japoneze, duke nxitur edhe një herë zemëratën e Shteteve të Bashkuara. Sipas Putinit dhe Xhinpingut, kriza raketore koreanoveriore nuk mund të zgjidhet me mjete të tjera veç dialogut dhe bindjes. Por Kina dhe Rusia janë të të njejtit mendim se sistemi raketor amerikan THAAD i pozicionuar në Korenë e Jugut, me pretekstin për të qenë në gatishmëri për t’iu kundërpërgjigjur çdo kërcënimi nga veriu komunist, është rrezik serioz për ekuilibrat e forcës në rajon dhe mund të nxisë një Luftë të Ftohtë të re.