Hulumtuesit kanë demonstruar se mund të përmirësojnë në mënyrë efektive ADN-në e embrionit njerëzor.

Përpjekja e parë për të krijuar embrione gjenetikisht të modifikuara është kryer në SHBA nga një ekip hulumtuesish në Portland, Oregon, ka mësuar Technology Review.

Përpjekja, e udhëhequr nga Shoukhrat Mitalipov në Universitetin e Shkencës dhe Shëndetësisë të Oregonit, përfshiu ndryshimin e ADN-së të një numri të madh embrionesh me një qelizë, përmes teknikës së editimit të gjeneve CRISPR, thuhet sipas njerëzve të afërt me rezultatet shkencore.

Deri më tani, shkencëtarët amerikanë e shihnin këtë kombinim me frikë, dhe disa kanë ngritur shqetësimet e tyre përderisa disa shkencëtarë tjerë ishin të parët që kishin eksploruar praktikën kontroverse, transmeton Gazeta Express.

Madje, tri raporte të mëparshme të editimit të embrioneve njerëzore ishin publikuar nga shkencëtarët në Kinë. Tani Mitalipov besohet se ka zbuluar se është e mundshme që në mënyrë të sigurt dhe të efektshme të korrigjohen gjenet defektive që shkaktojnë sëmundje.

Edhe pse asnjëri nga embrionet nuk u lejua që të zhvillohej për më shumë se vetëm disa ditë – dhe nuk kishte kurrë asnjë qëllim që ata të vendoseshin në mitër – eksperimentet janë një arritje e madhe.

Me këtë zbulim dëshmohet rrugëtimi i pashmangshëm drejt njerëzve të parë të modifikuar gjenetikisht. Duke edituar kodin e ADN-së në embrione, qëllimi i shkencëtarëve është që të dëshmojnë se mund të korrigjojnë ose ndryshojnë gjenet që shkaktojnë sëmundje.

Disa kritikë thonë se eksperimentet mund të hapin dyert drejt një bote të re me “foshnje të dizajnuara”, të cilat kanë përmirësime gjenetike – një aspekt ky i kundërshtuar nga një sërë organizatash fetare, grupe shoqërore dhe kompani bioteknologjike.

Komuniteti i Inteligjencës Amerikane vitin e kaluar e quajti “CRISPR” një “armë potenciale të shkatërrimit në masë”.