I dashur koleg dhe mik, z. Taravari,
Sot, mijëra mjekë i kanë drejtuar sytë nga ju me të vetmen shpresë se më në fund kujdesit shëndetësor dhe personalisht mjekëve, do t’u kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur profesional dhe moral. Duke i bërë ndryshimet e nevojshme, ju dhe qeveria do të keni gjithnjë mbështetjen e plotë të mjekëve dhe të të gjithë punonjësve të kujdesit shëndetësor.
Presim që sa më parë të ndodhin këto ndryshime dhe në këtë mënyrë të tregoni se R. Maqedonisë është një vend ku respektohen mjekët dhe punëtorët shëndetësorë. SHMPRM ka përvojë të gjerë në kujdesin primar shëndetësor privat si në zgjedhjen e mjekut ashtu edhe udhëzimeve terapeutike gjatë përcaktimit të medikamenteve. Besoj se me ndryshimet që po i propozojmë do të mund të arrijmë qëllimin tonë të përbashkët në përmirësimin e kujdesit shëndetësor.
Jam i mendimit se ju do të jeni në gjendje që në një periudhë të arsyeshme kohore të reflektoni pozitivisht. Këtu janë disa kërkesa strategjike që do të kontribuonin në përmirësimin e kujdesit shëndetësor primar privat:
- Pacientët duhet të regjistrohen në kuadër të institucionit shëndetësor privat (ISHP) dhe jo në emër të mjekut amë. Kjo për faktin se kur mjeku amë nuk do të jetë më i punësuar në atë institucion, për cilëndo qoftë arsye, atëherë të gjithë pacientët do të duhej të mbeteshin në evidencën e IPSH, dmth. tek mjeku i ri, i cili do të punësohej në atë institucion. Me këtë, fitohet kohë, duke e përdorur atë në edukimin e pacientëve. Ndryshe (siç është praktika e tanishme), krijohen probleme në riregjistrimin e këtyre pacientëve nga fillimi me kartelën e tyre elektronike (problemi me kartelat elektronike është evident për shkak të dëmtimit, humbjes, etj.). Para së gjithash, kjo mundëson që institucioni të mos ballafaqohet me probleme financiare shtesë, ndërsa mjekët kanë një stabilitet financiar. Në këtë rast, pacientët do të kenë të drejtën e tyre legjitime për t’u çregjistruar apo për të zgjedhur mjekun amë sipas dëshirave të tyre (siç parasheh rregullativa aktuale). Kjo gjë duhet të bëhet në 100 ditët e para të qeverisë së re për të provuar se ju me të vërtetë jeni të interesuar për shëndetësinë primare. Ky ndryshim nuk do të paraqiste implikime financiare për buxhetin e qeverisë.
- Pse duhet ndarë medikamentet? Çdo pacient duhet të ketë terapi dhe dozë mujore. Në këtë rast, zvogëlohen vizitat e panevojshme te mjeku familjar dhe në barnatore… Kështu të gjitha medikamentet do të ndaheshin në copë. Kjo praktikë aplikohet në shumë vende të botës…
- Përveç emrit gjenerik, në recetë duhet të figurojë edhe emri i fabrikës së medikamentit. Praktika e kaluar ka treguar se shumë pacientë bëjnë gabime duke përdorur Aspirinë, Kardiopirin dhe Andol ose Skopril dhe Ilizinopril-duke shkaktuar gjendje fatale tek pacientët. Vetëm mjeku amë e di se cili trajtim i përshtatet pacientit, kurse farmacisti duhet të respektojë terapinë e përcaktuar nga mjeku…
- Me zbatimin e recetës dhe udhëzimit elektronik, duhet të hiqen nga përdorimi recetat dhe udhëzimet në letër, siç është praktikë, e që ka treguar se vetëm krijon kosto të panevojshme… SHMPRM mbështet shëndetësinë elektronike në kuptimin e plototë të fjalës.
Dr. Fatmir Hasani
Koordinatori SHMPRM – Kumanovë dhe anëtar i Bordit drejtues