“Gjatë këtij viti elektoral Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, ka kryer procedura prokurorimi mbi vlerat e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit”, ky është njoftimi që ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi ka bërë në Prokurori dhe KLSH.
Ministri i Drejtësisë bën me dije se vetëm në 2 procedura prokurime, që i ka fituar e njëjta kompani, ka prokuruar 1.2 miliard lekë më shumë se ç’kishte parashikuar buxheti i shtetit për atë shërbim.
Ministri i Drejtësisë ka kërkuar që këto procedura të kalojnë në sitën e KLSH-së dhe prokurorëve.
Një “luftë” mes Bardhit dhe vartëses së tij nisi në 3 qershor kur kërkoi zyrtarisht Departamentit të Administratës Publike që të zbatojë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjin për nëpunësin civil, dhe të pezullojë nga detyra, Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha, e cila ushtron funksionin në kundërshtim flagrant me ligjin, që nga data 29 Prill 2017, për shkak se ishte kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës, me subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë.