Ministri i Punëve të Jashtme, Nikollla Dimitrov sot do të ketë tkaim me sekretarin shtetëror për çështje evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Mihael Rot, i cili prej dje ndodhet për vizitë në Maqedoni.

Diplomati gjerman dje u takua me kryeministrin Zoran Zaev, ku, siç kumtoi shërbimi qeveritar për informim, është shprehur mbështetja e fuqishme e Gjermanisë për hapat e kryeministrit dhe të qeverisë së re të Maqedonisë, në muajin e parë të formimit. U vlerësua se janë bërë lëvizje të dukshme pozitive që paralajmërojnë rezultate në proceset eurointegruese.

Lidhur me vizitën e sekretarit shtetëror Rot, nga MPJ gjermane kumtuan, se ai ka shfaqur shpresë nga përkushtimi ndaj reformave të Qeverisë së re në vend, formimi i së cilës, theksojnë, ishte i gjatë dhe i vështirë.

“Ishte koha e fundit të tejkalohen bllokadat në ish-Republikën jugosllave të Maqdonisë. Politikanët përgjegjës e çuan vendin në gjendje shumë të rëndë. Prandaj jam i kënaqur nga sinjalet e para shpresëdhënëse nga qeveria e re. Kryeministri Zaev tha qartë se dëshiron hollësisht të merret me integrimin në BE dhe se është sinqerisht i interesuar për pajtim rjaonal”, ceket në informatën nga MPJ gjermane para vizitës.

Diplomati gjerman Rot vjen në Shkup pas vizitës në Beograd.

Mihael Rot është një ndër diplomatët më me ndikim në MPJ-në gjermane, anëtar i socialdemokratëve gjermanë dhe një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të minsitrit të Jashtëm Zigmar Gabriel, i cili është pjesë e fushatës së SPD-së për zgjedhjet federale të caktuara për në shtator, ndërkaq merr pjesë edhe në ndërmejtësimin ndërkombëtar për krizën në Katar.