Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi gjatë ditës së djeshme vizitoi  tri minierat në Maqedoni edhe atë Toranicë dhe Zletovë në Probishtip dhe Sasa në Makedonska Kamenicë,duke realizuar takime pune me përfaqësues të menaxhmentit të këtyre minierave.

Qëllimi i kësaj vizite është njohja e drejtpërdrejt me situatën aktuale në miniera ,kushtet në të cilat punojnë ato dhe hapat e mëtejshëm të kompanive që janë pronarët e tanishëm të  minierave.

Kështu, për minierat Toranicë dhe Zletovë,ministri Bekteshi shprehu interes të veçantë për kushtet e  punonjësve, sidomos për sigurinë e minatorëve,me ç’rast u informua se këto dy miniera në të kaluarën në masë të madhe kanë avancuar kushtet e minatorëve aty ku kryejnë aktivitetet e  përditshme.Përveç kësaj,këto dy miniera mund të mburren edhe me rritjen e numrit të të punësuarve në 700 për momentin, i cili numër ka tendencë të rritet në të ardhmen deri në 1000 punonjës në të dy minierat. Ministri i Ekonomisë u informua edhe në lidhje me investimet e planifikuara në të ardhmen, afatshkurte dhe afatgjate, në përputhje me planet e zhvillimit të kompanisë.

Siguria në punë u vlerësua shumë veçanërisht në minierën Sasa në Makedonska Kamenicë,ku në rrjedhë e sipër është aplikimi i vazhdueshëm i standardeve të reja në punë ,përskaj atyre ekzistuese, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të minatorëve të punësuar. Menaxhmenti i “Sasa”-s  informoi Ministrin Bekteshi për planet e investimeve të kompanisë në periudhën e ardhshme dhe rezultatet e arritura derë më tani.

Kjo ishte vizita e parë në sektorin e minierave nga disa që ka planifikuar ti realizojë ministri Kreshnik Bekteshi ,sektor ky i cili gjeneron rreth 10% të prodhimit të përgjithshëm në vend dhe punëson rreth 13 mijë qytetarë me një pagë mesatare prej 28 mijë denarësh.Sektori përbën 1% të PBV-së,3.85% eksport dhe 6.04% import.