177 njerëz kanë vdekur, si pasojë e shpërthimit të minave nga lufta e fundit në Kosovë. Ndërsa numri i atyre me lëndime është afër 500.
E në mesin e tyre është edhe Burim Perteshi nga fshati Duhël i Suharekës, i cili kishte rënë në një mjet shpërthyes duke humbur njërën këmbë.
Nga Kompania e Deminimit thonë se zonat më të rrezikuara vazhdojnë të mbesin ato afër brezit kufitar me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Kjo kompani nga pastrimet e zonave të minuara, ka gjetur dhe shkatërruar afër 90 mijë mjete të pashpërthyera, raporton KTV.
Rajoni i Hanit të Elezit njihet si njëra ndër zonat me më së shumti mjete të pashpërthyera.
Nga marsi deri më tash, në rajonin e Hanit të Elezit janë pastruar më shumë se 6 mijë metra katrorë nga minat, si dhe janë gjetur 4 mjete të pashpërthyera.
FSK-ja që nga viti 2010, ka pastruar mbi 1 milion metra katrorë si dhe ka shkatërruar 2177 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera, kurse ekipet e EOD-së kanë intervenuar në 2136 raste dhe kanë demoluar 3150 mjete të ndryshme eksplozive.