Transferimi i Aubameyang te Milan fillon të futet në fazën më interesante. Më 15 korrik, kinezët e Tianjin presin përgjigjen përfundimtare nga futbollisti, të cilit i janë ofruar 40 milionë euro në sezon.

Për sulmuesin e Dortmund do të jetë një zgjedhje jete: paratë në Azi, apo futboll në nivele të larta, ku automatikisht Milan do të ishte zgjedhja e parë.

Drejtuesit kuqezi, Fassone dhe Mirabelli, kanë pasur disa takime me babain e Aubameyang që është njëkohësisht menaxheri i tij.

Kuqezinjtë i ofrojnë 7.5 milionë euro në sezon për katër vitet e ardhshme, më pak se do të marrë në një sezon të vetëm në Kinë.

Prandaj duket se është zgjedhje jete për lojtarin, teksa Dortmund në të dyja rastet do të pajtohet me 75 milionë euro.

Nëse Aubameyang nuk shkon në Kinë, atëherë Milan do të formojë një fond special për blerjen e tij nga shitja e të gjithë futbollistëve që ka aktualisht në përbërje, por që nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Vincenzo Montella.

Kucka, i cili shkoi te Trabzonspor për 6 milionë euro ishte  i pari që u hapi rrugën largimeve, ndërsa futbollistët e tjerë të AC Milan me valixhet gati janë: Bacca, De Sciglio, Lapadula, Niang, Paletta, Poli, Bertolacci dhe Vangioni.

Aubameyang është ëndrra dhe nëse nuk do të realizohet atëherë Kalinic do të jetë alternativa.