Pas betimit si Presidenti i Ri i Republikës, Ilir Meta, priti sot në një takim të veçantë Ministrin e Jashtëm të Republikës së Maqedonisë, zotin Nikola Dimitrov i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Meta vlerësoi vizitën e Ministrit Dimitrov në Tiranë si shprehje e vullnetit të qeverisë së re të Maqedonisë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve duke nënvizuar ecurinë e tyre dypalëshe dhe vullnetin që ato të zhvillohen më tej në fushën e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në atë infrastrukturor dhe energjetik.

Presidenti Meta përshëndeti përpjekjet e qeverisë së re të Maqedonisë për vijimin e reformave të rëndësishme demokratike dhe angazhimin e saj për stabilitetin politik e përmirësimin e klimës së bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërqytetar. Ai përshëndeti vullnetin qeverisë maqedonase për miratimin e “Ligjit për përdorimin e gjuhëve” në mënyrë të veçantë atë të gjuhës shqipe, si një hap të rëndësishëm për adresimin e plotë e pa vonesa të Marrëveshjes së Ohrit.