Presidenti i zgjedhur Ilir Meta do të marrë zyrtarisht nesër detyrën si kryetar i shtetit shqiptar.

Ceremonia e betimit të tij në Kuvend do të mbahet në orën 18.00 të pasdites të së hënës. Pas kësaj, në orën 19:00, Presidenti i sapobetuar do të drejtohet për në Presidencë, ku edhe atje janë duke u bërë përgatitjet e fundit për të pritur të gjithë të ftuarit që do të jenë në ceremoni. Fillimisht Meta do të pritet në zyrë nga Presidenti në detyrë, Bujar Nishani. Më pas të dy do të dalin në sheshin përpara Presidencës, ku Metës, përpara fjalimit të tij do t’i dorëzohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Gjatë kësaj ceremonie, Meta do të jetë i shoqëruar nga vajza e tij, e jo nga bashkëshortja Monika Kryemadhi, e cila e ka bërë të ditur këtë vendim që në momentin kur Meta u votua si President në Parlament. Pas fjalës që do të mbajë Presidenti i ri, ai në mënyrë simbolike do të përcjellë paraardhësin Bujar Nishani, moment ky që pasohet nga ceremonia zyrtare me parakalimin e forcave të Gardës së Republikës dhe 21 të shtënat me top. 48-vjeçari Ilir Meta, baba i tre fëmijëve betohet si presidenti i shtatë i Republikës së Shqipërisë demokratike.