Donald Trump dhe Angela Merkel do të zhvillojnë një takim ballë për ballë para samitit të G20-ës këtë javë, njoftoi sot zëdhënësi i kancelares gjermane, ndërkohë që çështjet ku dy krerët përplasen janë të shumta.

“Është parashikuar një takim me presidentin amerikan para fillimit të samitit të G20-ës, me shumë mundësi të enjten në mbrëmje”, deklaroi për median Steffen Seibert.

Samiti i G20-ës, që mbledh vendet më të fuqishme të planetit dhe që zhvillohet të enjten deri të shtunën në Hamburg, pritet të jetë një prej mbledhjeve ndërkombëtare të kësaj natyre nga më konfliktualet e viteve të fundit.

Bisedimet mes kancelares gjermane dhe presidentit amerikan do të zhvillohen veçanërisht në çështje si lufta kundër ngrohjes klimatike, tregtisë dhe shpenzimeve ushtarake.